Një vajzë e porsalindur erdhi në jetë në mënyrë të pazakontë gjatë natës mes 17 dhe 18 qershorit në Favria, pranë Torinos. E vogla nuk priti mbërritjen e ambulancës dhe lindi në shtëpi, me ndihmën e babait dhe udhëzimet e personelit të urgjencës përmes telefonit. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit, kur qendra operative e urgjencës në Torino mori një telefonatë nga bashkëshorti i gruas shtatzënë.

Ai raportoi se kontraksionet ishin bërë shumë të shpeshta dhe se lindja dukej e afërt. Menjëherë u nis një ambulancë drejt banesës, ndërsa një infermier i qendrës operative qëndroi në linjë me çiftin, duke i udhëzuar hap pas hapi gjatë gjithë fazave të lindjes. Babai asistoi bashkëshorten nga momenti i fillimit të lindjes deri në ardhjen në jetë të foshnjës.

Ekipit mjekësor iu deshën rreth 16 minuta për të mbërritur në vendngjarje. Kur ambulanca arriti në banesë, vajza kishte lindur vetëm pak minuta më parë. Sipas autoriteteve shëndetësore, si nëna ashtu edhe foshnja ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Më pas ato u transportuan në spitalin e Cirié për kontrollet dhe ekzaminimet e nevojshme pas lindjes.