Ditën e djeshme, tre banorët që hynë gjatë Prime-t të së shtunës në shtëpinë e “Big Brother VIP 5”, bënë një konferencë me pjesën tjetër. Luizi, Alesio dhe Marko u përballën me pyetje të ndryshme.
Në një moment, Luizi Ejlli u përball me një pyetje që e riktheu diskutimin te edicioni i dytë i spektaklit, ku edhe fitoi.
Juela e pyeti këngëtarin e njohur nëse, në këtë sezon, do t’i nevojitej sërish një aleate si Efi Dhedhes, ashtu si në lojën e tij të mëparshme.
Pyetja u ndal edhe te mungesa e Kiarës në këtë edicion, duke ngritur dilemën nëse Luizi do të kishte nevojë për një figurë të ngjashme me Efin apo Kiarën për të ecur përpara në lojë.
Reagimi i Luiz Ejllit ishte i drejtpërdrejtë. Ai u shpreh se nuk e kupton pse rikthehen vazhdimisht tema dhe krahasime nga e kaluara, duke theksuar se ajo eksperiencë tashmë ka përfunduar.
“Me gjithë respektin për ish-konkurrentet, nuk e shoh të arsyeshme të kthehemi te ajo që ka kaluar. Big Brother-i që kam bërë ka mbaruar”, deklaroi Luizi.
Pavarësisht kësaj, hyrja e tij në shtëpinë e BBVIP 5 ka sjellë menjëherë trazira dhe ka surprizuar banorët, të cilët fillimisht e kanë parë si një konkurrent të rregullt. Prania e tij ka ndryshuar dinamikat e lojës, duke ndezur diskutime që në ditët e para.



