Anëtari i grupit të njohur “Migos, Takeoff, u qëllua  për vdekje në Houston. 28-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Kirshnik Khari Ball, ishte në Teksas së bashku me dajën e tij dhe reperin e njohur, Quavo, për Halloween.

Rreth orës 02:40 të mëngjesit të së martës, policia u njoftua për të shtënat në një rrugicë. Reperët dyshohet se po luanin me zare me një grup njerëzish të tjerë kur shpërtheu një përleshje dhe dikush hapi zjarr, duke qëlluar në Takeoff. Bëhet me dije se Quavo nuk ishte lënduar.

“Oficerët thanë se kur arritën në vendngjarje, gjetën një turmë të madhe dhe një burrë me plagë në kokë ose qafë. Burri u shpall i vdekur në vendngjarje”, tha HPD për degën e NBC KPRC.

Departamenti i policisë shkroi në “Twitter” se oficerët e saj iu përgjigjën të shtënave në qendër të Huston-it dhe se një viktimë u gjet e vdekur. Më vonë shtoi se dy viktima të tjera “u dërguan me automjete private në spitale”.

Ndërkohë në lidhje me vdekjen tragjike të reperit, ka reaguar edhe artistja shqiptare, Rina Balaj.

“A nuk është e çuditshme që artistët vdesin dhe më pas publikojnë një album? Po flas kot, apo është e gjitha e planifikuar nga kompanitë e tyre të liga? U prehsh në paqe”, ka shkruar Rina në postimin e saj në “Instastory”.