Influencuesi kontrovers i rrjeteve sociale i njohur me pseudonimin Clavicular, emri i vërtetë Braden Peters, është përballur me akuza të rënda penale në SHBA. Ai akuzohet nga një 17-vjeçare për drogim për qëllime seksuale dhe për përdhunim.

Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga mediat amerikane, 20-vjeçari dyshohet se e ftoi vajzën në shtëpinë e familjes së tij në Cape Cod, Massachusetts, ku më pas i dha sasi të mëdha vodka gjatë një transmetimi live.

Vajza, Aleksandra Vasilevna Mendoza, pretendon se Peters i kishte premtuar se do t’a ndihmonte të bëhej “fytyra femërore e looksmaxxing”, nëse ajo pranonte të merrte pjesë në një livestream me të. Sipas padisë civile, të dy kishin qenë në kontakt prej rreth një viti dhe ishin njohur kur Mendoza ishte 16 vjeç.

Gjatë transmetimit, Peters dyshohet se i ka dhënë alkool në sasi të mëdha. Mendoza ka deklaruar para policisë se gotat me vodka ishin “më shumë si gota të plota”, ndërsa ajo e përshkruan veten si person që nuk e përballon lehtë alkoolin.

Dokumentet pretendojnë gjithashtu se Peters u tha shikuesve se vajza ishte 18 vjeç dhe se ata po pinin ujë, në mënyrë që të anashkalonin kufizimet e Twitch për alkoolin.

Pas përfundimit të transmetimit, Mendoza pretendon se u dërgua në një dhomë gjumi dhe se pati marrëdhënie seksuale me Peters ndërsa ishte tepër e dehur për të dhënë pëlqimin. Ajo pretendon gjithashtu se të nesërmen në mëngjes u sulmua seksualisht përsëri ndërsa ishte në gjumë.

Në Massachusetts, mosha ligjore e pëlqimit seksual është 16 vjeç, por marrëdhëniet seksuale me një person që është i paaftë për të dhënë pëlqimin për shkak të gjendjes së tij mund të përbëjnë vepër penale.

Mendoza thotë se në atë kohë ishte shumë e frikësuar për t’i raportuar akuzat në polici dhe se e bëri këtë vetëm më vonë.

Peters është përballur këtë muaj me akuza për përdhunim, drogim të një personi për qëllime seksuale dhe dhënie alkooli një të mituri. Akuza për përdhunim mund të dënohet me deri në 20 vite burg, nëse ai shpallet fajtor.

Përveç çështjes penale, Mendoza ka ngritur edhe një padi civile ndaj Peters në Miami-Dade County. Në padi ajo pretendon se të dy u takuan përsëri në Miami dhe se më vonë 20-vjeçari dyshohet se e detyroi të lejonte injektimin e faqeve të saj me një substancë që përdoret për shkrirjen e dhjamit.

Sipas padisë, substanca e injektuar dyshohet se përmbante metamfetaminë dhe i shkaktoi dëmtime në fytyrë. Këto pretendime janë gjithashtu të pakonfirmuara në gjykatë.

Peters nuk i ka komentuar drejtpërdrejt akuzat, por në një postim në X ka shkruar se padia ishte një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e tij dhe e ka cilësuar atë si “të vogël” dhe të parëndësishme.

Avokati i tij, Steve Kramer, ka deklaruar se akuzat janë vetëm pretendime dhe se ato nuk janë provuar. Sipas tij, Peters i mohon pretendimet dhe kundërshton mënyrën se si janë përshkruar ngjarjet. Avokati ka thënë gjithashtu se klienti i tij do të mbrohet përmes rrugëve ligjore.

Peters pritet të dalë përpara gjykatës për seancën e parë më 14 tetor.

Kush është Clavicular?

Braden Peters është bërë i njohur në internet për përmbajtjen e tij të lidhur me “looksmaxxing”, një trend online ku kryesisht të rinj përpiqen të ndryshojnë në mënyrë drastike pamjen e tyre fizike.

Përmbajtja e Peters ka përfshirë edhe praktikën e njohur si “bone smashing”, që konsiston në goditjen e përsëritur të fytyrës me mjete të forta me synimin për të ndryshuar formën e nofullës. Ai është akuzuar gjithashtu se ka promovuar metoda ekstreme për dobësim.