Një lajm i trishtë ka tronditur botën e muzikës. Ben Saunders, këngëtari holandez që shkroi historinë si fituesi i parë i “The Voice of Holland”, është gjetur i pajetë në moshën 43-vjeçare. Saunders u gjet i vdekur më 15 shtator në Rijkerswoerdse Plassen, një zonë e njohur pranë Arnhem, në Holandë. Sipas autoriteteve, trupi u gjet gjatë një operacioni kërkimi dhe u nxor nga liqeni rreth orës 13:20 me kohën lokale.
Policia holandeze ka konfirmuar ngjarjen, ndërsa ka bërë të ditur se nuk ka dyshime për një vepër penale. Megjithatë, shkaku i vdekjes së këngëtarit nuk është bërë ende publik. Lajmi është konfirmuar edhe nga familja e Saunders. Vëllai i tij, Dean Saunders, ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim prekës për të vëllanë.
“Vëllai im i vogël ka ndërruar jetë. Nuk kam përjetuar kurrë një dhimbje të tillë si ajo që po ndiej tani. Çfarë dite e tmerrshme për të gjithë ne”, shkroi Dean, duke shtuar se familja do të duhet të mësojë të jetojë me këtë humbje. Në një tjetër postim, ai i dha lamtumirën të vëllait me fjalët: “Do të jesh gjithmonë në zemrën time.”
Ben Saunders u bë i njohur për publikun në vitin 2011, kur fitoi sezonin e parë të “The Voice of Holland”, duke u bërë kështu fituesi i parë në historinë e gjithë ekskluzivitetit “The Voice”. Programi holandez, i nisur në vitin 2010, do të shndërrohej më pas në një format televiziv të suksesshëm në shumë vende të botës.
Por karriera e tij muzikore kishte nisur shumë më herët. Në vitin 2000, Saunders mori pjesë në programin holandez “Alles voor de band: Follow That Dream” dhe u bë pjesë e grupit Follow That Dream, ku këndonte së bashku me vëllain e tij Dean. Grupi u nda një vit më vonë. Pas triumfit në “The Voice”, Ben publikoi albumet “You Thought You Knew Me By Now” në vitin 2011 dhe “Heart & Soul” në vitin 2012. Më vonë, ai u angazhua edhe në një tjetër pasion, duke hapur së bashku me vëllain e tij një studio tatuazhesh.



