Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një nxënës 13-vjeçar ka plagosur me thikë mësuesen e tij brenda ambienteve të shkollës në zonën e Bergamos. Adoleshenti ka goditur mësuesen 57-vjeçare në korridorin e shkollës, duke e lënë të plagosur rëndë. Ajo është transportuar me urgjencë në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa ndodhet në terapi intensive.

Detaje të mëtejshme zbulojnë se i mituri kishte me vete një telefon, me të cilin dyshohet se ka filmuar sulmin. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet kanë sekuestruar materiale të rrezikshme që dyshohet se mund të jenë shpërthyese.

Në momentin e ngjarjes, nxënësi kishte veshur një bluzë me mbishkrimin “hakmarrje” dhe mbante me vete edhe një armë lodër të modifikuar. Pas sulmit, ai është neutralizuar nga stafi i shkollës dhe më pas është ndaluar nga forcat e rendit. Autoritetet italiane kanë bërë me dije se ngjarja konsiderohet si një akt i izoluar dhe nuk ka të dhëna për përfshirje të personave të tjerë apo lidhje me motive terroriste.