Një pilot amerikan është vrarë nga një grup separatist i armatosur në provincën Papua Highlands të Indonezisë, në një sulm që ka rikthyer vëmendjen te konflikti i gjatë dhe i përgjakshëm në rajon. Pas ekzekutimit të tij, sulmuesit i vunë flakën avionit, ndërsa morën përsipër përgjegjësinë, duke deklaruar se sulmi ishte një “mesazh” kundër fluturimeve që, sipas tyre, mbështesin operacionet ushtarake indoneziane.
Viktima është identifikuar si Nicholas F. Goselin, pilot i kompanisë indoneziane të aviacionit PT AMA. Ai u vra pak minuta pasi uli avionin në pistën ajrore të Ipdeheik, në fshatin malor Balinggama të rajonit Yahukimo.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Ushtria Nacionalçlirimtare e Papuas Perëndimore, krahu i armatosur i Lëvizjes për Papuan e Lirë, e cila publikoi edhe një video ku rebelët shfaqen të armatosur me armë zjarri dhe sëpata, ndërsa valëvitin flamurin “Morning Star”, simbol i pavarësisë së Papuas.
Zëdhënësi ushtarak në Papua, Wirya Artadiguna, konfirmoi se trupi i pilotit amerikan është gjetur dhe është evakuuar, ndërsa autoritetet kanë nisur operacionet për kapjen e autorëve.
Sipas autoriteteve indoneziane, në momentin e uljes nuk ishte raportuar asnjë rrezik sigurie. Kontakti me avionin humbi menjëherë pas aterrimit. Të gjithë pasagjerët, banorë vendas, shpëtuan pa lëndime.
Rebelët pretenduan se avioni kishte shkelur ndalimin e tyre për fluturimet civile në zonat që i konsiderojnë territore operative dhe paralajmëruan se do të sulmojnë çdo avion civil që, sipas tyre, transporton trupa ose pajisje ushtarake indoneziane.
Megjithatë, miku i pilotit, Kenneth Jagers, hodhi poshtë këto pretendime. Ai deklaroi se Goselin nuk transportonte ushtarë, por ndihmonte komunitetet e izoluara duke dërguar ushqime, ilaçe dhe duke transportuar pacientë me urgjenca mjekësore në zona ku nuk ka rrugë.
Konflikti në Papua vazhdon prej më shumë se gjashtë dekadash, që kur territori iu bashkua Indonezisë në vitin 1969 pas një votimi të mbështetur nga OKB-ja, legjitimiteti i të cilit është kundërshtuar prej separatistëve. Vitet e fundit, pilotët e huaj janë kthyer në objektiv të shpeshtë të grupeve të armatosura. Në vitin 2023 u rrëmbye piloti nga Zelanda e Re, Philip Mark Mehrtens, ndërsa në vitin 2024 një tjetër pilot neozelandez, Glen Malcolm Conning, u vra pas uljes së helikopterit në një fshat të largët të Papuas.

