Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një vajzë 13-vjeçare ka mbetur e plagosur pasi u sulmua nga një qen, i cili dyshohet se është nxitur qëllimisht nga dy motra të mitura pas një sherri. Ngjarja ka ndodhur në Porto Cesareo, në veri të Gallipolit, ku disa të rinj po kalonin kohë së bashku. Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes vajzave ka nisur fillimisht me debate verbale, për t’u përshkallëzuar më pas në dhunë fizike.
Sipas denoncimit të bërë nga familja e viktimës, dy motrat, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç, dyshohet se kanë lëshuar qëllimisht një qen të racës rottweiler kundër 13-vjeçares. Kafsha e ka sulmuar duke e kafshuar në këmbë dhe duke i shkaktuar plagë të thella në zonën e pulpës.
Ngjarja është filmuar nga disa të rinj të pranishëm dhe pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, gjatë sulmit, dy motrat kanë vijuar ta ofendojnë vajzën e plagosur.
Prokuroria për të mitur në Leçe ka nisur hetimet dhe ka ngritur dyshime për veprën penale “tentativë vrasjeje” ndaj dy të miturave, duke e konsideruar përdorimin e qenit si një “mjet potencialisht vdekjeprurës”. Një kallëzim i dytë është depozituar edhe ndaj prindërve të tyre, për moskujdes dhe mungesë kontrolli mbi një kafshë të rrezikshme. E mitura e plagosur është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet në gjendje serioze, por jashtë rrezikut për jetën.



