Kim Kardashian ka nxitur spekulimet se mund të ketë siguruar pelerinën ikonike të aktores legjendare Elizabeth Taylor, të cilën kjo e fundit e veshi në vitin 1969. Ylli amerikan 45-vjeçar u fotografua në sheshxhirimin e serialit “All’s Fair” me një veshje që duket pothuajse identike me pelerinën historike, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo është origjinalja apo një kopje e krijuar për serialin.

Pelerina e famshme, e dizenjuar nga Tiziani Roma, dallohet për veshjen e brendshme prej mëndafshi ngjyrë fildishi, kapuçin dramatik dhe dy akrepat e qëndisur në pjesën e përparme. Elizabeth Taylor e veshi atë në vitin 1969, gjatë festës së 40-vjetorit të lindjes së aktores Grace Kelly.

Në atë mbrëmje, Taylor e kishte kombinuar pelerinën me gjerdanin e famshëm Taylor-Burton, i cili kishte në qendër një diamant në formë dardhe, me peshë 69.42 karatë.

Spekulimet për Kardashian janë shtuar edhe për shkak se ajo është shfaqur në sheshxhirimin e serialit me një gjerdan që ngjan me atë që mbante Elizabeth Taylor. Megjithatë, ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për bizhuterinë origjinale, nëse Kardashian e ka blerë pelerinën privatisht apo nëse të dyja pjesët janë kopje të realizuara për produksionin televiziv.

Pelerina e Elizabeth Taylor u shit në ankandin e shtëpisë së njohur Christie’s në vitin 2011, si pjesë e koleksionit personal të aktores. Ajo u ble për 74,500 dollarë, rreth 64 mijë euro.

Ndërkohë, gjerdani Taylor-Burton u shit në vitin 1979 për 3.8 milionë paund, rreth 4.4 milionë euro, pas divorcit të dytë të Elizabeth Taylor nga aktori Richard Burton.