I ftuar në emisionin “S’e Luan Topi” me Erjona Rusin, Ermal Mamaqi ka bërë një rrëfim prekës për ndarjen nga jeta të mikut të tij, artistit të njohur Dr. Flori.

Aktori i njohur tregoi për luftën e këngëtarit për të hequr dorë nga droga, por që në një moment të vështirë të jetës së tij iu rikthye.

“Ai në fakt e la drogën, ai u pastrua dhe u rehabilitua 100%. E tërhoqa nga jeta e natës, drogës, alkoolit, dhe ai u bë shumë familjar. Flori pati një moment dobësie nga disa gjëra që ndodhën në jetën e tij dhe fatkeqësisht ai nuk ia doli dhe u rikthye sërish”, tregoi aktori.

Mamaqi vijon duke thënë se ikja e Dr. Florit la pas një mesazh shumë të fortë:

“Ne  bëmë dhe një këngë ‘mos pi mall, bëj palestër’, madje patëm dhe një projekt me Florin që të shkonim në shkolla dhe të tregonte si e la drogën, por ai projekt nuk ndodhi por ajo që ndodhi është se ai iku dhe dha një mesazh edhe më të madh, që kjo rrugë të çon drejt vdekjes. 17 nëntor kur Flori ndërroi jetë dhe ka qenë moment shumë i vështirë për mua. Doja të jepja kontributin tim si vëlla, si shok, që ai të kthehej… por kështu duhej të ndodhte. Rrugët e Zotit nuk i kuptojmë, por ai edhe me vdekjen e tij e la një mesazh”.