Në Argjentinë është rikthyer spektakli “MasterChef Celebrity”, i cili po tërheq vëmendje të madhe. E nuk bëhet fjalë vetëm për garën në kuzhinë, por edhe për dinamikat mes personazheve të famshëm.
Një nga momentet që po përflitet shumë ka ndodhur në episodin e fundit, ku ishte interaksioni mes ish-futbollistit Maxi Lopez dhe prezantueses së emisionit, Wanda Nara. Të dy kanë qenë të lidhur dhe kanë tre fëmijë së bashku.
Gjatë një sfide me mish, kur Lopez po shpjegonte gatimin e tij para jurisë, situata mori një kthesë komike. Teksa po përpiqej të përshkruante pjatën, shefi German Martitegui e ndërpreu për ta pyetur për gatimin e mishit.
“Është pak i papjekur”, tha Maxi me sinqeritet. “I lëngshëm?” – vijoi pyetja. Pas një pohimi të tij, shefi Damian Betular shtoi: “Pak i papjekur do të thotë shumë i lëngshëm”.
Në këtë moment, Wanda ndërhyri me një koment që ngriti temperaturën në studio – si nga batuta, ashtu edhe nga kuptimi që nënkuptonte: “Unë e kam ngrënë për shumë vite atë mish”.
Reagimi ishte i menjëhershëm – të gjithë shpërthyen në të qeshura, duke përfshirë dhe gazetaren e njohur, Susana Roccasalvo, e cila nuk i përmbajti emocionet.
Ky koment me nuanca ironie dhe nostaligjie i Wanda-s tregoi jo vetëm se “kimia” mes tyre ende ekziston në ekran, por edhe se dy ish-partnerët dinë të menaxhojnë me sportivitet marrëdhënien e tyre të kaluar, tani në një format televiziv.