Këngëtarja kosovare Rinesa Qeriqi, e njohur për publikun me emrin artistik Rinesancë, është ndarë nga jeta në moshën 25-vjeçare, pas përballjes me një tumor në tru, i diagnostikuar në vitin 2025.
Lajmi i trishtë ka prekur kolegët e saj në botën e muzikës, të cilët kanë ndarë mesazhe ngushëllimi dhe kujtime për artisten e re.
Këngëtari Alban Skënderaj e ka kujtuar Rinesën përmes një mesazhi prekës, duke zbuluar se ajo kishte interpretuar personazhin e Leas në një prej videoklipeve të tij.
“Prehu në paqe Rinesa. Dhe pse tepër shkurt, e jetove jetën me guxim, si një ‘Lea’ e vërtetë”, shkroi ai.
Edhe këngëtarja Dafina Zeqiri reagoi për humbjen e saj, duke e kujtuar me fjalët: “Prehu në paqe e ëmbla Rinesa”. Mesazhe ngushëllimi përcollën gjithashtu artistet Tayna dhe Fifi.
Pas diagnostikimit me tumor në tru, në vitin 2025, Rinesa iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve me radioterapi. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, familjarët e saj kishin kërkuar edhe ndihmë financiare për të përballuar kostot e trajtimit.
Me origjinë nga Prishtina, Rinesa jetonte në Kanada, ku ushtronte aktivitetin e saj artistik si këngëtare, autore tekstesh dhe kompozitore. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta ka lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e saj.
