Aktori amerikan Pat Finn, i njohur për rolin e tij në serialin e famshëm Friends, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai u shua në shtëpinë e tij në Los Angeles më 22 dhjetor, pas trajtimeve që kishte ndjekur që nga viti 2022. Lajmi i hidhur u konfirmua nga familja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai u përshkrua si një njeri që “nuk takoi kurrë të huaj, por vetëm miq që ende nuk i njihte.”
Pat Finn lindi në Evanston, Illinois, dhe studioi në Universitetin Marquette, ku luajti futboll dhe u miqësua me aktorin e ndjerë Chris Farley. Ata më vonë jetuan në Çikago dhe iu bashkuan trupës së njohur të humorit Second City. Ky ishte një hap i rëndësishëm për Finn, i cili zhvilloi karrierën e tij duke sjellë humorin dhe aftësitë e tij aktoriale në ekran.
Në karrierën e tij televizive, Finn u shfaq në disa sitcom-et më të njohura amerikane. Një nga rolet e tij të para ishte ai i Dan Coleman në The George Wendt Show. Më pas, ai luajti në seriale të tjera të famshme si Murphy Brown, The Drew Carey Show, That ’70s Show dhe Seinfeld.
Megjithatë, ai u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2000 me rolin e Dr. Roger, i dashuri i Monicës, në dy episode të serialit Friends. Ky rol e bëri një nga fytyrat më të njohura në televizionin amerikan. Gjatë viteve, Finn u shfaq gjithashtu në Curb Your Enthusiasm, House, 2 Broke Girls, The Goldbergs dhe disa prodhime të tjera televizive, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në industrinë e argëtimit.
