Luis Sheta ishte një tjetër personazh që një ditë më parë në “Pa Filtra”, në “E Diell”, rrëfeu historinë e tij të jetës. I riu kërkonte zgjidhje për problemin e tij, pasi sipas Luisit, nuk ka shoqëri për shkak të paragjykimeve vetëm sepse është rritur në jetimore.
“Nuk dua ta shoh nënën time, e shoh në rruge dhe kaloj nga ana tjetër e rrugës, e urrej”- u shpreh 19-vjeçari.
Nga ana tjetër, ishin opinionistët e rubrikës që i ofruan shoqërinë e tij të riut. Madje Erjola Doçi i dhuroi atij një varëse, për të cilën moderatorja e njohur u shpreh se e ka pasur në një periudhë të vështirë të jetës së saj.
“Unë jam një nga personat që jam rritur pa kujdes prindëror. Jam rritur në institucionet e shtetit shqiptar. Në çdo institucion ku kam jetuar unë, tek unë dhe te çdo mik i imi është bullizmi, janë disa gjëra jo të duhura. Jam rritur në qendrën “Rreze dielli”, pastaj kam ikur në qytetin e Shkodrës. Bullizmin e kam ndjerë në shkollë, në qendrën sociale dhe në rrugë.
Më datë 28 dhjetor të vitit 2004, unë kam lindur. Dhe me çfarë jam informuar, mamaja thonë se vuan nga shëndeti mendor. E kishte braktisur babai dhe fatkeqësia ime ishte të shkoja të jetoja në jetimore. Prindërit i njoh, me mamin nuk flas fare se e urrej, është diçka që nuk ja fal dot. Sa herë e shikoj në rrugë, unë ndryshoj rrugën. Nuk jam vetëm unë personi, jemi dhe tre vëllezër të tjerë që jetojnë në jetimore. Unë tani jetoj në Tiranë, në konvikt.
Qëllimi im që erdha këtu, është të jap disa këshilla për bullizmin. Bullizmi në shkollë ekziston shumë ku mua më thonin ‘për ty s’ka kush të kujdeset’. Edhe mësuesit më kanë bullizuar.
Në Tiranë nuk kam shoqëri. Unë dua shoqëri, por shoqëria nuk më afron”, rrëfeu i riu.