Një krim tronditës ka dalë në dritë në Cardiff të Uellsit, ku një burrë ka vrarë bashkëshorten e tij, ka fshehur trupin në oborr dhe më pas është shtirur si ajo duke dërguar mesazhe për të mbuluar gjurmët. Alireza Askari, 42 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm me minimum 26 vite, pasi pranoi se kishte vrarë bashkëshorten e tij Paria Veisi, 37 vjeçe, në prill të vitit 2025.

Ai e goditi gruan disa herë me thikë në banesën e tyre dhe më pas e varrosi në një varr të improvizuar në oborr, në vendin ku më parë ndodhej një pellg. Për të fshehur krimin, mbi trup vendosi pllaka, dheu dhe mbolli lule. Në përpjekje për të mashtruar të afërmit dhe autoritetet, ai përdori telefonin e viktimës për të dërguar mesazhe te familjarët dhe punëdhënësi, duke pretenduar se ajo ishte larguar nga Britania dhe nuk do të ishte e disponueshme për një ose dy muaj.

Pas krimit, autori ndërroi rrobat, shkoi në një qendër rekreative dhe më pas bleu produkte pastrimi për të fshirë gjurmët. Ai përdori edhe pajisje për larje me presion për të pastruar vendin e ngjarjes dhe bleu bimë për të maskuar vendin ku ishte varrosur trupi. Trupi i viktimës u gjet një javë pas zhdukjes së saj, ndërsa hetimet zbuluan detaje të rënda mbi mënyrën e krimit dhe përpjekjet për ta fshehur atë.

Në këtë ngjarje ishte përfshirë edhe halla e autorit, Maryam Delavary, 48 vjeçe, e cila ndihmoi në fshehjen e trupit dhe u dënua me 5 vite e 6 muaj burg. Gjykata theksoi se ata kishin vepruar së bashku. Autori fillimisht mohoi vrasjen dhe pretendoi probleme të shëndetit mendor, por gjykata e hodhi poshtë këtë mbrojtje, duke e cilësuar si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.