Matriarkja e famshme e familjes Kardashian-Jenner organizoi një festë madhështore me temë “007”, në rezidencën e miliarderit Jeff Bezos dhe partneres së tij, Lauren Sanchez, në Beverly Hills.

E veshur me një fustan të kuq elegant dhe duke mbajtur në dorë një pistoletë, Kris Jenner u shfaq si një “vajzë e vërtetë e Bond-it”. Ajo dukej plot energji teksa pozonte krah të dashurit të saj, Corey Gamble, i cili u shfaq me një puro në gojë.

“Një natë magjike me familjen dhe miqtë e mi të mrekullueshëm,” shkroi Jenner në “Instagram”, duke ndarë momente nga festa e saj plot yje të njohur të Hollywood-it.

Pas festës ikonike për 60 vjetorin me temë “The Great Gatsby”, këtë herë ajo luajti me numrin 70, duke e kthyer në “007”. Ambienti ishte i dekoruar me perde kadifeje të kuqe dhe llamba luksoze ari — çdo detaj i menduar deri në perfeksion, si vetë Kris Jenner.

Ndërkohë mes të ftuarve të famshëm ishin Oprah Winfrey, Adele, Meghan Markle dhe Princi Harry, Paris Hilton, Snoop Dogg, Gayle King, Niecy Nash, Sarah Paulson dhe Naomi Watts, të gjitha të veshura me elegancë për sfilatën me temë James Bond.