Brikena dhe Selin janë në televotim kokë më kokë për finalisten e parë të këtij edicioni të pestë të “Big Brother VIP”, që do të shpallet në Prime-n e së shtunës.

Brikena, si lidere e shtëpisë më të famshme në Shqipëri kishte mbrëmë si avantazh që të dërgonte dy banorë në televotim për finalisten e parë.

Ajo kishte të drejtë që të përballte veten me një nga banorët e tjerë që janë që nga dita e parë në shtëpinë e “Big Brother VIP 5”. E duke parë situatën që u krijua me Selin mbrëmë, Brikena vendosi që të dilte kokë më kokë me të.

“Si e ndjen veten në këtë përballje që është pa rrezik, por sidoqoftë një përballje që tregon shumë?”, u pyet Selin nga Ledion Liço.

Selin u përgjigj duke thënë se është një nga televotimet më të bukura dhe shtoi fitoftë më e mira. Gjithashtu u shpreh se ajo beson se në finalen e madhe të këtij edicioni të pestë të reality show-t do të jenë të dyja.

“Mund të jetë një nga televotimet më të bukura që mund të kem përjetuar këtu në Big Brother”. Sidoqoftë rezultati, unë kam një dashamirësi për Brikenën, e falënderoj shumë që më ka zgjedhur mua. Fitoftë më e mira, edhe pse jam shumë e bindur se në mos e para, e dyta, e treta apo e katërta, ne të dyja do jemi në finale”, u shpreh Selin.