Vëmendja ndaj ndërhyrjeve estetike nuk është më një fenomen që prek vetëm gratë. Sipas një artikulli të CNN, edhe burrat e famshëm po përballen gjithnjë e më shumë me gjykimin publik për pamjen e tyre, duke reflektuar një ndryshim të fortë në standardet e bukurisë në industrinë e argëtimit.
Rasti i Leonardo DiCaprio-s në ceremoninë e Oscars, ku u komentua gjerësisht për një pamje më të freskët dhe më pak të fryrë, u kthye në një shembull tipik të këtij trendi. Në rrjetet sociale, fansat dhe ekspertët spekuluan për çdo detaj, nga rutina e kujdesit të lëkurës deri te ndërhyrjet e mundshme estetike. Ndërkohë, reagimet ndaj Jim Carrey në një dalje të fundit publike ishin shumë më kritike, duke nxitur edhe teori konspirative për ndryshimin e tij në pamje.
Emra të tjerë si Bradley Cooper, Ryan Gosling dhe Barry Keoghan janë bërë gjithashtu pjesë e këtij debati, shpesh pa asnjë konfirmim për ndërhyrje, por vetëm bazuar në perceptimin e publikut.
Ndërkohë, procedura e Botox , e njohur tashmë edhe si “Brotox” për meshkujt, po ndeshet gjerësisht nsi term në rrjete sociale dhe në showbiz. Figura publike si Joe Jonas kanë folur hapur për përdorimin e tij, ndërsa statistikat tregojnë një rritje të interesit të burrave për trajtime kundër plakjes. Rrjetet sociale, videot online dhe kultura e imazhit të kuruar po ndikojnë drejtpërdrejt në këtë prirje.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me një ndryshim më të thellë shoqëror.
“Tradicionalisht, burrat vlerësoheshin për llojin e punës që bënin, punën që bënin me trupin e tyre, por së fundmi, vlera e tyre po zhvendoset drejt ‘punës’ që bëjnë mbi trupin e tyre”, pohoi Chris Haywood, lektori në studimet mbi maskulinitetin në Universitetin Newcastle në Angli.
Në të njëjtën kohë, kjo rritje e fokusit tek pamja po ngre shqetësime për mënyrën si perceptohet plakja.
Ky ndryshim tregon se, njësoj si gratë, edhe burrat po përballen me standarde gjithnjë e më të ashpra estetike, duke e kthyer pamjen fizike në një element kyç të vlerësimit publik.



