Ish-lojtari i NBA-së, Jason Collins, ka konfirmuar se po vuan një nga fromat më shkatërruese të tumorit, pasi simptomat e para u shfaqën në mënyrë të papritur dhe shumë të shpejtë. Collins, 47 vjeç, ka zbuluar për ESPN se mjekët e kanë diagnostikuar me një nga format më vdekjeprurëse të tumorit të trurit, glioblastomë e stadit të katërt.
Sportisti legjendar, i cili në vitin 2013 u bë lojtari i parë aktiv i NBA-së që doli hapur si homoseksual, kishte lënë të kuptohej për problemet e rënda shëndetësore në një deklaratë të shkurtër të publikuar në shtator nga familja e tij, ku thuhej se ai nuk ishte në gjendje mendore të fliste vetë.
Collins rrëfen se shenjat e para të sëmundjes u shfaqën me shpejtësi marramendëse. Një moment alarmues ndodhi në gusht, teksa po përgatitej të udhëtonte drejt US Open me bashkëshortin e tij, Brunson Green. Pavarësisht se udhëtimi ishte shumë i pritur, ai nuk arriti të përgatitej dhe çifti humbi fluturimin, pasi Collins kishte vështirësi të përqendrohej edhe në detyra të thjeshta si paketimi i valixhes.
Edhe pse këto shenja i dhanë arsye për t’u shqetësuar, mendësia e tij si sportist e shtyu të vazhdonte përpara. Ai shpjegon se për disa javë kishte përjetuar simptoma të çuditshme, por kishte vendosur t’i injoronte derisa situata u përkeqësua. Mjegullimi mendor vazhdoi, duke e detyruar të kërkonte ndihmë të specializuar mjekësore.
Sipas Collins, qëndrimi i tij në aparatin CT zgjati vetëm pak minuta përpara se mjekët të kuptonin se ishte diçka serioze. Në orët që pasuan, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm, duke humbur qartësinë mendore, kujtesën afatshkurtër dhe aftësinë për të kuptuar, gjendje që ai e përshkroi në mënyrë figurative si një version i një lojtari NBA i personazhit Dory nga Finding Nemo.
Mjekët zbuluan një glioblastomë agresive të vendosur thellë në tru, e cila ushtronte presion mbi lobin frontal, zonë përgjegjëse për funksione jetike si përqendrimi dhe zgjidhja e problemeve. Fatkeqësisht, tumori ishte përhapur tashmë në të dy hemisferat e trurit.
Me mbështetjen e familjes dhe njerëzve të tij të dashur, Collins ka vendosur të luftojë sëmundjen, duke udhëtuar në vende të ndryshme të botës për të marrë trajtime të avancuara me shpresën për të ngadalësuar përhapjen e tumorit. Megjithatë, ai pranon se edhe me radioterapi, kimioterapi dhe medikamente të reja, jetëgjatësia mesatare për këtë diagnozë është vetëm 11 deri në 14 muaj.
Në rrëfimin e tij prekës, Collins shpjegon pse ka zgjedhur ta ndajë historinë e tij me kaq sinqeritet. Ai thekson rëndësinë e të pasurit njerëzit e duhur pranë dhe kujton momentin kur doli publikisht në vitin 2013, duke ia treguar më parë të vërtetën rreth identitetit të tij personave më të afërt. Ai shprehet se besimi tek ata e lejoi të tregonte historinë e tij në mënyrën që dëshironte. Sipas tij, vitet që pasuan kanë qenë më të mirat e jetës së tij, duke shtuar se jeta bëhet shumë më e bukur kur njeriu jeton si vetvetja, pa frikë, si në publik ashtu edhe në privat.


