Edon Zhegrova është tashmë pjesë e Juventusit, duke shënuar një hap historik në karrierën e tij sportive dhe një arritje të madhe për futbollin kosovar. Në prezantimin zyrtar me fanellën bardhezi, sulmuesi anësor 25-vjeçar ndau një detaj interesant me tifozët: përveç futbollit, pasioni i tij i madh është muzika.

Ai e zbuloi këtë gjatë një interviste të shkurtër për klubin, ku u përgjigj në disa pyetje të shpejta për jetën e tij jashtë fushës. Kjo prirje artistike nuk është e rastësishme, pasi edhe motra e tij, Valza Zhegrova, ka pasur një eksperiencë në skenën muzikore, edhe pse më pas u tërhoq nga arti.
Zhegrova nisi karrierën e tij në Kosovë, ku talenti i tij u vërejt shpejt dhe i hapi rrugën drejt futbollit evropian. Tani, si pjesë e një prej klubeve më prestigjioze në botë, ai do të mbajë fanellën me numrin 11, duke nisur një kapitull të ri me “Zonjën e Vjetër”.
Ky transferim shihet si një moment i rëndësishëm jo vetëm për lojtarin, por edhe për sportin kosovar, që tashmë ka një përfaqësues në një nga klubet më të mëdha të Italisë.