Këngëtarja e njohur Tayna ishte e ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapin dhe Elona Duron, ku ndau me publikun detaje nga rrugëtimi i saj artistik, sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar karrierën e saj ndër vite. Në një bisedë të sinqertë dhe plot energji, ajo foli për momentet më të rëndësishme që e kanë formësuar si artiste dhe për raportin e veçantë që ka ndërtuar me fansat e saj.

Gjatë intervistës, Tayna u ndal gjithashtu te albumi i saj më i ri, “Genesis”, një projekt që shënon një kapitull të rëndësishëm në evolucionin e saj muzikor. Ajo tregoi më shumë për frymëzimet, procesin krijues dhe mesazhet që përcjell albumi, duke ftuar publikun të zbulojë një anë më personale dhe autentike të saj përmes këngëve të reja.

Moderatorja Elona Duro zgjodhi si gjithmonë të nisë emisionin me një hyrje rreth artistes:

Sot në studio kemi një artiste që nuk ka sjellë vetëm hite, por ka ndërtuar një rrugëtim që ka frymëzuar shumë vajza të reja të besojnë te vetja. Një emër që ka ditur të sfidojë veten, të rritet me çdo projekt dhe të mbetet autentike në një industri që ndryshon çdo ditë. Pas çdo kënge, çdo skene dhe çdo suksesi që publiku sheh, ekziston një histori sakrifice, pune dhe besimi te vetja. Kemi përballë një vajzë që e ktheu ëndrrën në realitet dhe emrin e saj në një nga zërat më të fuqishëm të muzikës shqiptare. Sot ajo vjen me një kapitull të ri, me një histori të re për të treguar përmes Genesis. Tayna, mirë se erdhe. Është kënaqësi dhe privilegj të të kemi me ne.

Përse albumi “Genesis” pas gati një dekade në skenë? Si erdhi ky realizim?

Kjo lidhet edhe me gjenezën e njeriut dhe me zhanret e ndryshëm në botë. Ka zhaner nga Brazili, nga Afrika, nga vende të ndryshme në album, por në gjuhën shqipe, dhe të gjitha këto janë një. Gjeneza jonë është një person. Jemi përhapur dhe ekzistojmë me kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, me gjithçka të ndryshme, dhe të gjitha këto janë grup në një album. Ka edhe një kuptim tjetër në gjenezë sepse e nis në nostalgji dhe përfundon me një këngë të vjetër shqiptare që është gjeneza ime.

Si erdhi frymëzimi për këtë album?

E kam parë në ëndërr, edhe e kam ditur që do e bëj një album dhe më doli emri “Genesis”. Nuk kam folur me Zotin, thjesht e pashë në ëndërr. Kam qejf që t’i ndjek shenjat dhe më tha subkoshienca që duhet një album dhe doli emri “Genesis”. Ishte zbulim i diçkaje. M’u lidh si fjalë dhe thashë që unë kam shumë diversitet si artiste dhe përse jo mos ta provoj të eksperimentoj me zhanre të ndryshme që tregoj të gjitha anët e mia./Top Albania Radio