Charles Victor Thompson, 55 vjeç, u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në SHBA, duke shënuar ekzekutimin e parë të këtij viti në vend. Para se t’i jepej doza fatale, Thompson iu drejtua familjeve të viktimave me fjalë pendese, duke thënë se ajo që po ndodhte do të traumatizonte edhe më shumë njerëz, edhe pse krimi ishte kryer gati tre dekada më parë.
Thompson ishte dënuar me vdekje për vrasjen në vitin 1998 të ish-partneres së tij, Dennise Hayslip dhe partnerit të saj Darren Cain, të cilët u qëlluan me armë zjarri në banesën e gruas në një periferi të Houstonit. Cain humbi jetën në vend, ndërsa Hayslip ndërroi jetë një javë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Në deklaratën e tij të fundit, Thompson u shpreh se i vinte keq për atë që kishte bërë dhe se shpresonte që familjet e viktimave të mund të gjenin paqe dhe të mbyllnin një kapitull të dhimbshëm. Ai theksoi se nuk kishte fitues në këtë situatë dhe se ekzekutimi vetëm sa krijonte viktima të reja emocionale.
Ekzekutimi u krye pasi Gjykata e Lartë e SHBA refuzoi apelimin e fundit të tij vetëm një orë para orarit të caktuar. Thompson u shpall i vdekur rreth 22 minuta pas nisjes së procedurës. Pas ekzekutimit, familjarë të viktimave reaguan ndryshe. Babai i Darren Cain u shpreh ashpër, ndërsa djali i Dennise Hayslip, i cili ishte vetëm 13 vjeç në kohën e vrasjes së nënës së tij, deklaroi se ky ishte fundi i një kapitulli dhe fillimi i një jete të re për të.
Autoritetet në Teksas e cilësuan ekzekutimin si drejtësi të vonuar, por të realizuar.




