I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro në Top Albania Radio ka qenë artisti Elgit Doda. Pavarësisht se vazhdon të jetë tepër aktiv në skenë, duke prodhuar muzikë për artistë të tjerë, Elgiti vazhdon të jetë i pranishëm për fansat e tij, duke sjellë klipe të njëpasnjëshme. Elgiti është autori i disa këngëve mjaft të suksesshme në muzikën shqiptare, duke bashkëpunar me emra të njohur si Adelina Tahiri, Ronela Hajati, Rezarta Shkurta, Alban Skënderaj, Zajmina Vasjari, Ingrid Gjoni, Xhensila Myrtezaj etj, artistë të cilët shquhen për artin e tyre.
Salsano u shpreh se disa nga këta këngëtarë që këndojnë live paguhen më pak se ata që këndojnë me playback. A është e vërtetë kjo sipas Elgitit?
Është një gjë që menaxhimi, këngët, super hitet ndikojnë tek këto lloj gjëjash. Unë besoj më shumë tek menaxhimi i artistëve, që mendojnë ta menaxhojnë veten vetë dhe ndodhin këto gjëra. Unë ta thashë edhe shparë, që nuk ka rëndësi të jetë ai vokali i madh dhe për t’u quajtur këngëtare se ke vokal.
Ku qëndron ndryshimi mes tyre?
E di si është problemi i live-t? Problemi i live-t është se artistët që këndojnë live kanë kënduar gjithë jetën dhe u është rrahur veshi aty. Është eksperiencë. Në momentin që ti del dhe këndon gjatë gjithë kohës dhe këndon playback, problemi kur del live është jo se je këngëtar i keq, por ti nuk je mësuar me dëgjimin. Nuk je mësuar me shumë gjëra që live është ndryshe nga playback-u. Eksperienca i vendos të gjitha, sepse nuk është rastësi që një artist është aty ku është dhe merr atë çmim që merr. Ka një vlerë. Ka diçka që ndoshta nuk e ka atë live 100%, ama po të punojë për atë live për një vit bëhet.