Aktorja dhe autorja Elia Zaharia ishte e ftuar në emisionin “ArtKand” në Top Channel, ku prezantoi librin e saj për fëmijë, “Perla dhe Dreri i Artë”. Projekti u realizua në një periudhë që ajo e përshkroi si një “kakofoni” në jetën e saj personale.

Gjatë intervistës, gazetarja Jetona Koçibelli e pyeti për divorcin me Princ Lekën dhe mënyrën se si e ka përballuar këtë kapitull të vështirë. Elia foli me sinqeritet, duke thënë:

E gjithë jeta ka sfidat dhe ulje-ngritjet e veta. Nuk është asnjëherë betejë e fituar sepse jeta të rrëzon dhe të ngre. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu, sa herë të ngrihet, të mos harrojë të ngrihet njeri.

Elia i dha fund martesës së saj me Princ Lekën pas një periudhe të tensionuar dhe përplasjesh që u bënë edhe publike. Megjithatë, aktorja ka gjetur forcën për ta kthyer dhimbjen në frymëzim, duke e kanalizuar energjinë e saj drejt krijimtarisë.

Libri “Perla dhe Dreri i Artë” është një tregim me mesazhe pozitive dhe mësimdhënëse për të vegjëlit, i cili reflekton imagjinatën dhe ndjeshmërinë e autores.