Elon Musk pritet të thyejë një rekord historik financiar, pasi mund të bëhet njeriu i parë në botë me pasuri që arrin shifrën e një trilioni dollarësh.
Kjo, nëse aksionerët e Teslës miratojnë një paketë të re pagese që i garanton atij shpërblime gjigante, nëse kompania përmbush objektiva të caktuara.
Sipas raportimeve të CNN, paketa i jep mundësinë Musk të përfitojë deri në 423.7 milionë aksione shtesë të Teslës, të cilat me vlerën aktuale të tregut kapin shifrën mbi 143 miliardë dollarë.
Megjithatë, për ta arritur këtë, kapitalizimi i Teslës duhet të shkojë në rreth 8.5 trilionë dollarë – gati tetë herë më shumë se vlera e sotme.
Paketa përfshin edhe një propozim që Tesla të marrë pjesë në xAI, kompaninë e inteligjencës artificiale të Musk, duke konsoliduar më tej perandorinë e tij të biznesit.
Aktualisht, sipërmarrësi zotëron 410 milionë aksione të Teslës me vlerë 139 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e tij totale, përfshirë SpaceX, xAI dhe kompani të tjera, llogaritet në 378 miliardë dollarë, sipas Bloomberg.
Megjithatë, rruga drejt “trilionit” mbetet sfiduese për Musk, për shkak të luhatjeve të mëdha të aksioneve të Teslës dhe betejave ligjore mbi paketat e pagave të tij.