Reperi i famshëm amerikan, Eminem, duket se ka gjetur dashurinë pranë një gruaje që e njeh prej vitesh — stilistes dhe artistës së grimit, Katrina Malota, me origjinë shqiptare.

Sipas një burimi për TMZ, marrëdhënia mes tyre, e cila ka nisur si bashkëpunim profesional, është shndërruar kohët e fundit në një romancë të mirëfilltë. Malota është kujdesur për flokët dhe pamjen e reperit në videoklipe, fotosesione dhe paraqitje live, duke qenë pjesë e ekipit të tij kreativ prej kohësh.

Në faqen e saj profesionale, ajo përshkruhet si “një nga stilistet më të kërkuara në botën e modës dhe argëtimit” dhe një “artiste e vërtetë vizuale”.

Karriera e Malotës ka shtrirje ndërkombëtare — nga pasarelat e Nju Jorkut e deri në Paris — ku ka bashkëpunuar me disa nga dizajnerët më të njohur të modës.

Përveç punës me yje të muzikës dhe kinemasë, Malota ka dhënë mësim dhe ka mentoruar talente të reja në “Central Saint Martins College of Art and Design” në Londër. Ajo është vlerësuar në revista prestigjioze si “Allure” dhe ndan kohën mes klientëve të saj në Birmingham, Miami dhe Nju Jork.

Në listën e bashkëpunimeve të saj spikasin emra si Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent.