E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë producentja Ledja Liku, për të folur më shumë për projektin më të ri “Urban Gen”. “Urban Gen” është projekti më i ri që nis në muajin Prill në Top Channel, ku në fokus do të ketë rininë dhe që bën bashkë Lei Kraja dhe Kristi Lamaj. Se si është konceptuar ky program, na tregon vetë më shumë Ledja…

Pjesë nga intervista:

Çfarë është “Urban Gen”?

Ma bëjnë shpesh këtë pyetje dhe nuk e kanë kuptuar në fillim sepse edhe ne kemi dhënë një informacion pak të cunguar për të pasuar më pas me promon. “Urban Gen” është një emision dedikuar të rinjve. Do të ketë debate, do të ketë panele diskutimi, siç do të ketë dhe të ftuar personazhe të njohur të fushave të ndryshme, në art, kulturë, sport, kinematografi, që do t’i bashkohen brezit të ri. Unë e kam ideuar prej shumë kohësh në mendjen time “Urban Gen”, duke qenë se jam gjeneratë e “Top Select” dhe doja të bëja një lloj miks projekti që të kthehesha në retroskpetivë, por që të isha paralelisht dhe me gjeneratën e re.

Besoj që do të jetë një produkt shumë i mirë televiziv, do të jetë shumë profesional, sepse dhe stafi që është angazhuar është ndër më të vjetrit dhe më profesionalët. Po bëjmë një emision i cili do të jetë dedikuar të rinjve, vlerave, do të ketë pak muzikë, do të ketë performanca. Ky emision do të transmetohet të shtunave. Është një sfidë e re për mua, është një sfidë e bukur, një sfidë që mendoj se do të ndiej shumë kënaqësi sepse bashkëpunoj për herë të parë me Lei Kraja dhe Kristi Lamaj. Mendoj se është një dyshe e gjetur, sepse që në prova e kam vërejtur atë kiminë midis tyre dhe dëshirën për të bashkëpunuar. /TAR/