Këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në SHBA, në një postim në rrjetet sociale i është përgjigjur disa deklaratave të bëra kundër saj në media.
Simaku shkruan se prej 10 muajsh emri i saj është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që kërkojnë të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave.
“Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.”, thekson këngëtarja në postimin e saj.
Më tej Simaku shton se vazhdon rrugën e saj me dinjitet sdhe të vërtetën në krah.
Postimi i plotë i Parashqevi Simakut:
Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
Por në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.
Sot dua t’ju them vetëm kaq: Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj.
Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.
Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime.