E ftuara e kësaj javë në rubrikën “Galeri” në “E Diell” ishte shkrimtarja Besa Myftiu. Mes rrëfimit të saj, tregoi edhe historinë e babait të saj, Mehmet Myftiu, i cili pati shkruar romanin “Shkrimtari”, por që u prit keq nga shteti i asaj kohe.

“Babai ka qenë shkrimtar dhe profesor. Pastaj u dënua nga regjimi dhe iu hoq e drejta për të botuar dhe për të dhënë mësim. Më pas shiti cigare për 25 vite te Rruga e Barrikadave. Arsyeja ishte romani “Shkrimtari”, që nuk doli fare. Ishte i pari libër disident i lindjes.

Babai kishte shkruar romanin Leka, që tregonte vuajtjet në kampet e përqendrimit nazist kur ishte vetëm 12 vjeç e gjysmë. 10 vite më vonë u internua nga komunistët dhe ishte në të njëjtën qeli me nazistët dhe fashistët, ndaj të cilëve kishte luftuar që fëmijë.

Për këtë fliste edhe libri ‘Shkrimtari’. Babai atje ndenji 6 muaj dhe është vlerësuar si një nga librat më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Në do ta botojmë këtë libër. Një nga sekretarët e Partisë, që ishte edhe shok i Enver Hoxhës, u mahnit nga ai libër dhe këmbënguli t’ia çonte Enver Hoxhës.

Babai im i tha se koha e këtij libri nuk ka ardhur akoma. Megjithatë, ra dakord. Kur erdhi, i tha babait se Enver Hoxha u tërbua dhe i kërkoi llogari se përse e lini këtë njeri të shkruajë. Nga ky moment, e drejta e botimit iu hoq, libri nuk u botua asnjëherë”, tregoi mes të tjerash Besa Myftiu.