E ftuar në këtë episod të “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë Ermonela Jaho. Sopranoja e njohur me famë botërore në këtë intervistë ekskluzive ka ndarë me dëgjuesit detaje nga karriera e saj, se si nisi gjithçka, kush e frymëzoi dhe si ka arritur që përgjatë gjithë këtyre viteve të ndërtojë një bazë kaq të fortë dhe të arrijë majat me talentin e saj.

Në sytë e saj gjëja që ajo përfaqëson vetë si soprano mendon se është e madhe apo thjesht e quan punës e saj që e do shumë pavarësisht vendit dhe skenës?

Nuk ka rëndësi ku e bëj, është ëndrra ime që ka filluar këtu në Shqipëri që e vogël për t’u bërë këngëtare dhe artiste. Me kalimin e kohës nga një ëndërr e një vajze të vogël, u bë një lloj terapie e imja, një ushqim shpirtëror dhe për mua nuk ka rëndësi se sa e madhe është. Ajo bëhet e madhe nëpërmjet artit, profesionit që unë bëj tashmë. Të frymëzoj brezin e ri ose të flas me zërin e shpirtit, siç është kultura dhe siç është arti dhe muzika. Siç është edhe pasioni im, pra shpirti im të rezonojë me shpirtin e publikut. Mendoj që ai është efekti dhe detyra e një artisti që duhet të bëjë. Vetëm kaq, pastaj e madhe, diva, e jashtëzakonshme…artisti flet me gjuhën e shpirtit dhe nëse unë arrij të frymëzoj dhe të emocionoj qoftë edhe një spektator mendoj se aty unë kam bërë detyrën time si artiste. Kështu që për mua është e madhe ajo që bëj, në komunikim me identitetin tim dhe me publikun. Vetëm kaq.