Në moshën 101-vjeçare, Anne Angioletti vazhdon të sfidojë moshën. Amerikania me origjinë italiane drejton ende aktivitetin e saj të bizhuterive në New Jersey, nget makinën dhe madje udhëton një herë në javë drejt New York-ut për të parë tendencat e reja të aksesorëve. Dyqani i saj, Curiosity Jewelers, u hap në vitin 1964. Edhe sot Anne u përgjigjet telefonatave dhe pret klientët, duke vijuar të punojë shtatë ditë në javë.
Jeta e saj nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ajo mbeti e ve në moshë të re dhe rriti e vetme tre fëmijët. Historia e saj është bërë e njohur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Anne është shfaqur edhe në programe televizive. “Besoj se sekreti im është se e dua jetën. Jam e lumtur dhe përpiqem të mos shqetësohem për të nesërmen”, ka treguar ajo.
Edhe dieta e saj është e thjeshtë. Në mëngjes ha një vezë, tërshërë dhe pi lëng portokalli. Për drekë preferon mish pule ose peshk me perime, ndërsa në darkë ha pak. Ajo shmang ëmbëlsirat dhe ushqimet ultra të përpunuara, ndërsa herë pas here konsumon çokollatë dhe një birrë në javë. Por rutina e saj nuk përfundon te ushqimi. Anne kryen çdo ditë rreth 30 minuta ushtrime fizike, përfshirë ushtrime për forcimin e muskujve dhe ngritje peshash. Në fundjavë, ajo vazhdon të dalë për të kërcyer me shoqet. Historia e 101-vjeçares është kthyer kështu në një shembull të një jete aktive edhe në moshë shumë të avancuar.



