E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë mjekja nutricioniste Matina Çobo, Ajo ka folur më shumë mbi ushqyerjen tani që po afron vera dhe ndryshimet metabolike që ndodhin tek trupi ynë.

Pjesë nga intervista:

Gjatë temperaturave të larta, kemi tendencën për të konsumuar ujë të ftohtë dhe me akull, apo edhe kondicionerin e mbajmë me gradacion të ulët. A është kjo gabim?

Në përgjithësi ftohja e shpejtë e trupit, nuk është aspak e mirë, madje është e rrezikshme për disa njerëz. Kur ne djersijmë shumë dhe është shumë nxehtë jashtë, të gjitha enët e gjakut në lëkurën tonë fillojnë e zgjerohen. Kjo është një formë për të larguar nxehtësinë e tepërt nga trupi. E njëjta gjë ndodh edhe me organet e brendahme, me traktin tretës. Nëse ne kemi shumë vapë dhe pijmë menjëherë një shishe me ujë shumë të ftohtë, enët e gjakut fillojnë e ngushtohen menjëherë, sepse i ftohti ndikon në ngushtimin e tyre të menjëhershëm. Pasi ti pi një gotë ujë shumë të ftohtë, ndien një lloj ngërçi në grykë, në stomak, në diafragmë. Disa njerëzve mund t’u fillojë lemza pasi pinë një birrë të ftohtë apo ujë të ftohtë. Kjo ndodh sepse enët e gjakut që ishin të zgjeruara si pasojë e të nxehtit, tani fillojnë e ngushtohen. Por këto spazmat ndonjëherë janë të rrezikshme për disa njerëz, për njerëz që vuajnë nga tensioni, apo me probleme me veshkat. Kështu që duhet të kemi kujdes, temperatura e gjërave që pijmë, duhet të jetë sa më afër temperaturës trupore, të mos jetë shumë i ftohtë, por të jetë i freskët.

Po temperatura e kondicionerit sa duhet të jetë?

Temperatura e kondicionerit normalisht duhet të jetë tek 24 gradë. Nëse do të qëndrojmë në këtë temperaturë, është më e lehtë për trupin për t’u përshtatur. Nëse është më e lehtë, 18 apo 20, favorizojmë shokun termik. Mund të ndodhë në lëkurë, në enët e gjakut të sipërfaqes së kafkës, kështu që nuk na ndihmon. Kur futemi menjëherë në një ambient shumë të ftohtë, mund të përjetojmë dhimbje koke, mund të kemi dhimbje në pjesë të caktuara të trupit, ngërçe muskulare, kështu që nuk është mirë. Prandaj të qëndrojmë të freskët, të konsumojmë produkte të freskëta. Ushqimet e ftohta, si akullorja, ndikon negativisht.