Përfaqësuesja e Xhamajkës në konkursin ndërkombëtar të bukurisë Miss Universe, Gabrielle Henry, vazhdon të qëndrojë në spital për të tretën ditë radhazi pasi u rrëzua nga skena gjatë raundit paraprak të garës.

Incidenti ndodhi teksa ajo po parakalon­te me taka të larta; një hap i humbur mjaftoi që Henry të rrëshqiste dhe të binte nga skena, duke shkaktuar panik te të pranishmit. Menjëherë pas rrëzimit, stafi mjekësor ndërhyri dhe e transportoi konkurrenten me barelë.

Organizatorët e Miss Universe konfirmuan se gjendja e Henry-t mbetet e rëndë dhe se ajo po vazhdon të marrë trajtim të specializuar. Sipas mjekëve, për shkak të plagëve dhe komplikimeve të mundshme, 23-vjeçarja do të duhet të qëndrojë në repartin e kujdesit intensiv për të paktën edhe një javë, derisa gjendja e saj të stabilizohet plotësisht. Mjekët po e monitorojnë nga afër çdo ndryshim, duke theksuar se kjo periudhë është kritike për shërimin e saj.

Në një deklaratë zyrtare, organizata Miss Universe kërkoi që publiku të tregojë mirëkuptim dhe mbështetje për konkurrenten.

“Lutjet dhe mendimet tona janë me Gabrielle-n gjatë kësaj kohe të vështirë. I bëjmë thirrje publikut të shmangë komentet negative dhe përhapjen e spekulimeve apo dezinformatave që mund të rëndojnë më tej situatën për familjen e saj,” thuhej në komunikatë.

Organizatorët theksuan se prioriteti i tyre kryesor është shëndeti i Gabrielle Henry-t dhe mbështetja emocionale për të afërmit e saj, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i garave të bukurisë vazhdon t’i qëndrojë pranë.