I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë kreu i Lëvizjes Bashkë, kandidat për Kryetar Bashkie i Tiranës, Arlind Qori. Ai ka folur më shumë për zgjedhjen për t’iu kushtuar politikës dhe çfarë shpreson ai të ndryshojë në shoqëri…

Pjesë nga intervista:

Çfarë mund t’u thoni atyre që mendojnë se jeni i blerë nga Rama? Ku i gjeni paratë për të mbajtur Lëvizja Bashkë?

Lëvizja Bashkë që kur është themeluar, mbahet me kontributet e anëtarëve të vet. Na kontrollon KQZ çdo vit, që nga kontrata e qirasë e gjithçka tjetër. Prej gati 15 vitesh, unë lë një pjesë të rrogës sime, edhe të gjithë anëtarët e tjerë.

Sa është rroga juaj?

Rroga ime si pedagog universiteti, neto është diku tek 1 milion e 100 mijë lek të vjetra. Kontribuoj diku tek 10% të rrogës sime dhe si unë kontribuojnë dhe shumë të tjerë. Shpenzimet tona janë minimale. Kontribuojnë dhe nga Diaspora, sidomos në fushatat zgjedhore kemi kontribute të mëdha, sepse e kanë më të lehtë.

Keni shumë zyra?

Një në Tiranë, një në Fier dhe një në Durrës, të vogël.

Do të hapni një GoFundMe për fushatën?

E kemi që prej ditës që është themeluar Lëvizja Bashkë. Në çdo muaj kemi kontribute nga anëtarët dhe mbështetësit tanë, që dokumentat depozitohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. /TAR/