Këngëtari i famshëm, Liam Payne, ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare pasi ra nga ballkoni i hotelit ku ishte akomoduar, në Argjentinë.

Mediat e huaja shkruajnë se ylli i “One Direction” u nda nga jeta pasditen e së mërkurës.

Ende nuk dihet nëse ka qenë e qëllimshme apo aksidentale. Ngjarja ndodhi pasi Liam kishte shfaqur sjellje të çrregullt në hollin e hotelit, ku  theu laptopin e tij dhe më pas u kthye në dhomë, raporton TMZ.

Ndërkohë sipas policisë në Buenos Aires, oficerët morën njoftim për “një burrë agresiv që mund të ishte nën efektet e drogës dhe alkoolit”.

Kur mbërritën në hotel, zyrtarëve iu tha se një zhurmë e fortë ishte dëgjuar në oborrin brendshëm të hotelit.

Drejtori i shërbimeve të urgjencës, Alberto Crescenti, tha për mediat lokale se Payne kishte pësuar lëndime serioze dhe se do të kryhej autopsia.

Kujtojmë se Payne zbuloi në qershor të vitit 2021 se ai luftoi me varësinë nga alkooli dhe droga në një moment kur “One Direction” ishte në turne dhe gjërat u bënë aq keq sa kishte mendime të rënda vetëvrasëse.