Lufta e ashpër mes Wanda Nara-s dhe Mauro Icardi-t po intensifikohet edhe më shumë. Së fundmi, ‘showgirl’-i argjentinas kishte lënë të kuptohej për një afrimitet të mundshëm me ish-bashkëshortin, duke publikuar fotografi nga viti 2016 dhe duke deklaruar publikisht.

“Do të jemi gjithmonë një familje”.

Në një paraqitje televizive, ajo shtoi se komunikimi mes tyre vazhdon herë pas here dhe se me kalimin e kohës situata mund të qetësohet, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe në raste të tjera.

Megjithatë, reagimi i Mauro Icardi-t nuk vonoi dhe ishte tepër i fortë. Sulmuesi i Galatasaray-t e hodhi poshtë kategorikisht çdo pretendim për ribashkim apo afrimitet, duke i cilësuar deklaratat e Wandas si të pavërteta.

“Është e pabesueshme që ende i jepet besim një personi që gënjen vazhdimisht”, shkroi ai, duke e quajtur ish-bashkëshorten një “mitomane”.

Në një mesazh të gjatë dhe të ngarkuar emocionalisht, Icardi foli për akuza të rreme për dhunë, përjashtime nga pronat e tij dhe ndalimin për të parë vajzat për muaj të tërë. Ai theksoi se kishte kërkesa gjyqësore që, sipas tij, synonin ta largonin plotësisht nga fëmijët.

Gjithashtu, futbollisti e akuzoi Wanda-n për shkelje të vendimeve të drejtësisë, manipulim psikologjik dhe dëme të rënda financiare, duke pretenduar se ajo i kishte marrë rreth 7 milionë euro. Mesazhi përmbyllës i Icardit ishte i prerë dhe pa ekuivok: “Në jetën time ajo është vetëm nëna e vajzave të mia. Nuk do të jetë kurrë më pjesë e familjes sime”.