Një histori e pazakontë vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku një familje fermerësh ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 26 milionë dollarësh nga një kompani e inteligjencës artificiale, duke zgjedhur të mos shesë tokën e trashëguar ndër breza. Ngjarja ka ndodhur në periferi të qytetit Maysville, në shtetin Kentucky, ku familja zotëron një fermë prej rreth 500 hektarësh.

Një kompani e madhe e inteligjencës artificiale, emri i së cilës nuk është bërë publik, u ka propozuar blerjen e një pjese të konsiderueshme të tokës për ndërtimin e një qendre të dhënash.Megjithatë, pavarësisht shumës së lartë, familja e refuzoi menjëherë ofertën, duke theksuar se toka ka një vlerë shumë më të madhe sesa paratë. “Qëndroni, rezistoni dhe ushqeni kombin”, deklaroi për mediat Delsia Bare, një nga anëtaret e familjes.

Ajo tregoi se kjo tokë ka qenë në pronësi të familjes prej brezash dhe ka luajtur një rol kyç në prodhimin e ushqimit ndër vite. Sipas saj, paraardhësit e familjes kanë kultivuar grurë edhe gjatë periudhës së Depresionit të Madh, duke ndihmuar në furnizimin me ushqim në një nga momentet më të vështira për vendin.

Familja shprehet skeptike ndaj premtimeve të kompanisë për zhvillim ekonomik dhe hapje vendesh pune. Ata i konsiderojnë këto pretendime si të pabesueshme dhe madje i cilësojnë si mashtruese. “Njerëzit mund të na quajnë fermerë të vjetër dhe të paditur, por ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh kur humbasim tokën dhe burimet tona. Kur zhduket ushqimi dhe uji, gjithçka tjetër bëhet e parëndësishme”, u shpreh një tjetër anëtar i familjes.