Aktori turk, Burak Ozçivit, i cili në vendin tonë është bërë i njohur nga disa telenovela të transmetuara në ekranet shqiptare, është vendosur së fundmi në qendër të kritikave.
Shkak janë bërë disa fotografi të postuara në rrjetet sociale ku shfaqet me aktorin e Hollywood-it, Kevin Spacey.
Ndjekësit e kanë kritikuar atë, pasi Burak kishte publikuar disa foto me Spaceyn-n, i cili është akuzuar më shumë se një herë për abuzim seksual ndaj fëmijëve. Aktori, madje është hedhur edhe në gjyq.
Lidhur me këto kritika të fansave të tij, aktori i njohur turk ka vendosur që të reagojë dhe të sqarojë postimin e tij në “Instagram”.
Burak është shprehur se ka mësuar vetëm së fundmi për akuzat ndaj Spacey për abuzimin seksual të fëmijëve. Në një postim në rrjetet sociale, protagonisti i serialit “Osmani” ka shprehur hapur kundërshtimin e tij ndaj kësaj çështjeje.
“Lidhur me ketë temë kaq të ndjeshme dhe të trishtuar e kam marrë lajmin me vonesë. Jam thellësisht i trishtuar nga kjo dhe bëra menjëherë atë që ishte e nevojshme. Dua t’ju bëj të ditur se unë jam absolutisht kundër kësaj çështjeje. Kjo ndjeshmëri ka qenë e tillë deri tani dhe kështu do të jetë edhe tani e tutje. Mos jini aq të ulët sa të përpiqeni të përfitoni nga çështje të tilla të ndjeshme”, ka thënë aktori turk.
Për këtë arsye, Ozçivit e fshiu foton e shkrepur me Spacey gjatë ndeshjes së Kupës së Botës në Katar, pas reagimeve të forta në “Instagram” ku ndiqet nga 22.5 milionë ndjekës, mes tyre edhe shumë shqiptarë.