Një influencues 23-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë teksa ngjitej në El Capitan, një formacion i famshëm vertikal shkëmbor në Parkun Kombëtar Yosemite.
Balin Miller humbi jetën të mërkurën, ka konfirmuar nëna e tij, Jeanine Girard-Moorman, për “Associated Press”.
“Ai ka nisur ngjitjet që kur ishte një djalë i vogël. Zemra dhe shpirti i tij ishin vërtet vetëm për ngjitje. Ai e donte ngjitjen dhe nuk kishte kurrë të bënte me paranë dhe famën”, shkroi nëna e të ndjerit në një postim në “Facebook”, duke shtuar:
“Me zemër të thyer më duhet t’ju them se djali im i mrekullueshëm Balin Miller vdiq gjatë një aksidenti ngjitjeje. Zemra ime është copëtuar në një milion copëza. Nuk e di se si do ta kaloj këtë. E dua shumë. Dua të zgjohem nga ky makth i tmerrshëm”.
Ndërkohë përdoruesit e rrjeteve sociale që kanë qenë duke ndjekur live aventurën e 23-vjeçarit, kanë reaguar të tronditur kur kanë parë rënien e të riut.
“Ai arriti në majë, por iu desh të merrte çantat e tij pasi ato ngecën në një shkëmb teksa ai po i ngrite lart. Ndërsa po përpiqej t’i merrte, ai ra dhe vdiq. Të gjitha këto ndodhën gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë”, ka shkruar në “Facebook” Michelle Derrick, një fanse që e kishte ndjekur udhëtimin e tij për katër ditë.