Iggy Pop ka shokuar publikun në Londër teksa ka bërë një dalje nga skena që askush nuk e priste. Ai mbajti një koncert më 28 maj në Alexandra Palace dhe 78-vjeçari vendosi që t’a mbyllte shfaqjen në mënyrën më dramatike të mundshme.
Pamjet, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në rrjet, tregojnë momentin kur një arkivol shfaqet në skenë në finalen e koncertit. Legjenda e rokut, si zakonisht pa bluzë, shtrihet brenda tij ndërsa publiku mbetet i shtangur.
Performanca u përmbyll me këtë akt teatral, që shumëkush e interpretoi si një koment artistik mbi përkohshmërinë, fundin, dhe natyrën kalimtare të jetës dhe artit.
Artisti postoi më pas videon në profilin e tij në “Instagram”, duke iu kërkuar ndjekësve që të komentonin me tituj kreativë për këtë moment të pazakontë.
“Londër. Ne e dimë si fillon dhe si mbaron. Do të na pëlqente të shihnim mbishkrime të zgjuara për këtë moment!”, shkroi ai në përshkrimin e postimit.
Koncerti ishte pjesë e turneut “Lust For Life”, një homazh për albumin me të njëjtin emër, ku Iggy performoi këngë nga koha me “The Stooges”, si dhe nga karriera e tij solo. Reagimet e publikut dhe mediave ishin të ndryshme, disa e panë këtë si një shfaqje gjeniale dhe simbolike, ndërsa të tjerë thjesht si një tjetër provë e ekscentrizmit të tij legjendar.
Pavarësisht moshës, Iggy Pop vazhdon të thyejë kufijtë e pritshmërive, madje edhe duke “dalë nga skena si i vdekur”.