Një vit pas përfundimit të martesës me Chiara Ferragni, Fedez është rikthyer të flasë për një prej periudhave më të rëndësishme të jetës së tij private. Reperi italian ka reflektuar mbi marrëdhënien me influenceren, duke pranuar se ndarja ishte një vendim i vështirë, por që në një moment u bë i pashmangshëm.
Gjatë një bisede në podcast-in “Pulp”, Fedez u pyet pikërisht për mënyrën se si arriti t’i jepte fund historisë së tyre. Ai tregoi se nuk pati një shkëputje të thjeshtë apo të menjëhershme, por një grumbullim situatash që i bëri të kuptonin se rrugët e tyre duhej të ndaheshin.
Reperi pranoi gjithashtu se gjatë viteve të kaluara me Ferragnin kishte bërë gabimet e tij, por theksoi se ndjenjat që kishte pasur për të kishin qenë të vërteta.
“Chiaran e kam dashur, duke bërë edhe shumë gabime. Nuk ishte e lehtë ta lija, por në një moment ishte e nevojshme të ndaheshim”, deklaroi ai.
Pavarësisht interesit të madh publik që ka shoqëruar fundin e martesës së tyre, Fedez nuk dëshiron të tregojë gjithçka që ka ndodhur pas dyerve të mbyllura. Ai bëri të qartë se disa pjesë të historisë do të vazhdojnë të mbeten private.
“Shumë prej gjërave që kanë ndodhur nuk kam dashur t’i shpjegoj kurrë publikisht. Ato që kanë ndodhur do t’i mbaj për vete”, u shpreh reperi.
Marrëdhënia mes tyre, megjithatë, nuk përfundon me divorcin. Fedez dhe Ferragni janë prindër të dy fëmijëve, Leone dhe Vittoria, një lidhje që do t’i mbajë gjithmonë pjesë të jetës së njëri-tjetrit.
Pikërisht për këtë arsye, reperi foli për ish-bashkëshorten me një ton më pajtues, duke e cilësuar atë si një njeri që, pavarësisht përfundimit të historisë së tyre të dashurisë, vazhdon të ketë një vend të rëndësishëm në jetën e tij.
“Dashuria vjen dhe ikën, por ajo mbetet nëna e fëmijëve të mi dhe një person shumë i rëndësishëm në jetën time”, tha Fedez.
Pas një ndarjeje që u zhvillua nën vëmendjen e vazhdueshme të publikut dhe mediave, deklaratat e fundit tregojnë një qasje më reflektuese të reperit ndaj së kaluarës. Në vend që të rikthehet te konfliktet apo të zbulojë prapaskenat e divorcit, Fedez ka zgjedhur të vendosë theksin te respekti që mbetet mes tyre dhe te roli i përbashkët si prindër.
