Katerina dhe Arnoldi, çifti që u njoh dhe krijoi lidhje në emisionin “Përputhen”, janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të forta publike ndaj njëri-tjetrit.

Historia e tyre e dashurisë avancoi shpejt dhe vetëm pak muaj pasi u bënë çift, ata njoftuan se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Në atë kohë, të dy u shprehën të lumtur dhe deklaruan se marrëdhënia po shkonte mirë.

Por së fundmi, situata mes tyre duket se është përkeqësuar. Në një intervistë televizive, Katerina deklaroi se kishte gënjyer kur më parë kishte thënë se Arnoldi po kujdesej për të dhe foshnjën, si edhe se familjarët e tij e kishin mbështetur.

Sipas saj, ajo ishte detyruar nga Arnoldi të bënte deklarata të tilla, ndërsa shtoi se prej tre muajsh nuk kanë asnjë komunikim dhe se ai nuk është interesuar për të apo për foshnjën.

Pas këtyre deklaratave reagoi Arnoldi, i cili në rrjetet sociale hodhi dyshime mbi atësinë e fëmijës. Ai deklaroi se i kishte kërkuar Katerinës të kryenin një test ADN-je, por se kjo kërkesë ishte refuzuar.

Nga ana tjetër, Katerina mohoi që një kërkesë e tillë të jetë bërë ndonjëherë dhe theksoi se nuk do të pranonte asnjë procedurë që mund të rrezikonte shëndetin e foshnjës.

“Fëmija është 100% i tiji. Ai e ka deklaruar edhe vetë më parë. Sa për ADN-në, nuk më është kërkuar, por as nuk do ta vija foshnjën time në rrezik që t’i vërtetoja egoizmin e sëmurë këtij personi”, shkroi ajo në reagimin e saj publik.

Më tej, Katerina mohoi edhe pretendimet për lidhje të tjera paralele, duke theksuar se i ka qëndruar besnike Arnoldit gjatë gjithë marrëdhënies së tyre.

Debati mes ish-çiftit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa të dy vazhdojnë të japin versione të ndryshme për raportin e tyre dhe situatën aktuale.