I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë analisti dhe teologu Arjan Curri, për një bisedë pa filtra dhe plot provokime nëpërmjet deklaratave të tij të forta…
Lidhur me deklaratën e tij të bujshme të bërë në podcastin e Grida Dumës, ku tha se do të bënte një fëmijë me marrëveshje, Arjan Curri shpjegoi:
Në rastin e podcastit të Grida Dumës, 95% e audiencës nuk e kuptuan. Ajo ishte për të kuptuar 5%, ne e lamë që të bënim një podcast cilësor dhe nuk e kishim shumë problem që nuk do ta kuptonte shumica, e dinim, por do të provokoheshin. Ai podcast lindi nga një bast që unë kam vënë me studentët e mi që u jap filozofi dhe që më thonë se filozofia nuk shet, nuk provokon, nuk është më seksi, është e mërzitshme dhe i thashë që e kanë gabim. Hodhëm një bast ku unë do bëja një provokim social dhe do të flisja në vetë të parë filozofinë e një filozofi. Grida e kuptoi, e shijoi, edhe një 5% e audiencës që janë të kualifikuar e kuptuan. Për atë që e kuptojnë filozofinë, ai podcast ishte gjithë filozofia dhe ideologjia e Diogjenit të Sinopës, por e thënë nga unë në vetë të parë. Po të kisha thënë që Diogjeni nuk donte të martohej, apo që i pështynte njerëzit në fytyrë, nuk do të shkaktonte reagim. Tregohej që disa aristokratë të Athinës i hodhën disa kocka, sepse Diogjeni e quante veten qen, filozofia e tij cinike kishte lidhje me qentë. Disa athinasë donin ta tallnin kur dolën nga një banket, morën disa kocka me vete dhe i thanë meqë do që të të thërrasim qen, atëherë po të hedhim disa kocka. Diogjeni ngriti këmbën e djathtë siç bën qeni dhe urinoi mbi ta. Është një provokator i jashtëzakonshëm i filozofisë. Pra, këtë bëra, në podcastin e Grida Dumës fola në vetë të parë të gjithë filozofitë cinike të Diogjenit. Çdo gjë që është thënë aty është një aktrim, një rol, nuk është filozofia ime, por ishte e vetmja mënyrë që të provokoje audiencën dhe të fitoja bastin me studentët e mi.
