Që nga shtatori i vitit 2025, Alen Fabien Delon, ka nisur një betejë ligjore për të sfiduar testamentin e babait, aktorit të njohur francez, Alain Delon. Ai është duke kërkuar që motra e tij, Anuschka, të përjashtohet nga tragshëgimia.

Alen ka dhënë një intervistë të enjte, ku deklaroi se nuk dëshiron që motra e tij të përfitojë asnjë cent.

Mediat franceze shkruajnë se ai akuzon të Anuschka-n se ka shfrytëzuar dobësinë e të atit pas një goditjeje në tru për ta detyruar të ndryshojë testamentin.

“Kjo nuk është çështje parash,” tha ai në intervistën për RTL, duke shtuar se qëllimi i tij është vetëm të respektohen dëshirat e fundit të të atit dhe të korrigjohet “gabimi”.

Alen Fabien Delon thekson se pas goditjes në tru, aktori i famshëm nuk ishte në gjendje të nënshkruante testamentin dhe u dërgua nga spitali te noteri për ta firmosur, një veprim që sipas tij, ishte i papranueshëm.

“E shtruan në Spitalin e Zvicrës, e nxorën nga klinika, e çuan te noteri, e bënë të nënshkruajë testamentin dhe më pas e kthyen në klinikë. Nuk ishte në gjendje të nënshkruante asgjë,” shpjegoi Fabien Delon.

Djali i aktorit shtoi se pas goditjes në tru të vitit 2019, i ati nuk ishte në plotë kujtesë.

“Ishte herë pas here i qartë,” tha ai, por vuri re se mirësia e papritur e babait e kishte habitur, duke e cilësuar atë të pazakontë për natyrën e tij të zakonshme të ashpër.

Procesi ligjor vazhdon në Francë dhe Zvicër, me Alen Fabien që kërkon anulimin e testamentit të vitit 2022, i cili e bën Anuschka-n trashëgimtaren e vetme të të drejtave të babait të tyre.