Një fermer spanjoll ka marrë një vendim të pazakontë pasi nuk arriti të shesë prodhimin e tij me një çmim që mbulon kostot. Juan Manuel Romero, nga Lebrija në provincën e Seviljes, ka vendosur të dhurojë falas mbi 200 ton qepë, duke u bërë thirrje banorëve të zonës t’i marrin ato, në vend që të shkatërrohen në arë.

Romero shpjegoi se kishte planifikuar të mblidhte prodhimin nga parcela e tij prej 3.25 hektarësh, por tregtarët i ofruan vetëm 13 cent për kilogramë. Sipas tij, ky çmim është shumë i ulët dhe nuk mbulon as shpenzimet e mbledhjes dhe transportit. Fillimisht, fermeri mendoi t’i lëronte arat dhe t’i groposte qepët, por më pas vendosi t’i ofrojë falas për këdo që ka nevojë. E vetmja kërkesë që ai u ka bërë qytetarëve është të mos lënë mbeturina në parcelë dhe ta respektojnë tokën.

Që prej fillimit të kësaj nisme, shumë banorë janë drejtuar drejt arës për të marrë qepë pa pagesë. Përfaqësuesi i organizatës bujqësore COAG në Andaluzia, Diego Bellido, tha se një nga arsyet kryesore të krizës është moti i pafavorshëm gjatë sezonit të prodhimit, i cili ka rënduar edhe më shumë situatën ekonomike të fermerëve.

Ai theksoi se për të mbledhur një hektar tokë nevojiten rreth 25 punëtorë për disa ditë, ndaj me një çmim prej vetëm 13 centësh për kilogramë është e pamundur të mbulohen pagat dhe shpenzimet. Sipas tij, paradoksi është se ndërsa fermerëve u ofrohet një çmim kaq i ulët, në supermarketet spanjolle qepët shiten me rreth 60 cent për kilogram, duke lënë pjesën më të vogël të fitimit pikërisht tek ata që i prodhojnë.