Një fermer i revoltuar në zonën e njohur turistike të Lake District, në Cumbria të Anglisë, ka spërkatur me pleh organik dhjetëra automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme në tokën e tij, duke deklaruar se ishte “lodhur nga sjellja e turistëve”.
Hogg Hodgson ndërmori këtë veprim pasi shumë drejtues mjetesh shpërfillën tabelat paralajmëruese dhe parkonin automjetet në fushën e tij me dele gjatë fundjavës së pushimeve.

Në hyrje të pronës ishin vendosur disa tabela me mbishkrimet “Mos parkoni” dhe “Ka dele në fushë”, por kjo nuk i ndaloi turistët që të linin aty makinat e tyre, përfshirë mjete luksoze si Mercedes, BMW dhe Jaguar.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjetet të mbuluara me njolla kafe nga plehu organik, duke shkaktuar debat të madh mes komentuesve. Megjithatë, fermeri mbrojti veprimin e tij, duke thënë se nuk e bëri nga krenaria apo hakmarrja, por nga zhgënjimi i vazhdueshëm për mënyrën se si turistët trajtojnë zonën dhe pronat private.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që përballet me probleme të tilla. Ai pretendon se turistët shpesh hedhin mbeturina, dëmtojnë gardhet dhe hyjnë pa leje në tokën e tij pranë liqenit Rydal Water.

Shumë banorë vendas dhe përdorues të rrjeteve sociale kanë mbështetur fermerin, duke argumentuar se drejtuesit e mjeteve kishin injoruar qëllimisht sinjalistikën dhe kishin hyrë në pronë private. Të tjerë, ndërkohë, e kanë konsideruar të tepruar reagimin e tij.
Policia e Cumbria-s ka konfirmuar se është në dijeni të ngjarjes dhe ka nisur verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.

.