Sunny Hill Festival ka konfirmuar një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore për edicionin e këtij viti. Këngëtarja amerikane Katy Perry do të ngjitet në skenën e festivalit në Prishtinë, duke shënuar vizitën dhe performancën e saj të parë në Kosovë. Lajmi u bë publik në një mënyrë mjaft të veçantë përmes rrjeteve sociale të festivalit, ku u publikua një video-bisedë mes Dua Lipës dhe Katy Perry-t.
Gjatë bisedës, Dua iu drejtua artistes amerikane me fjalën “motër”, ndërsa Katy tregoi se turneu i saj veror do ta sjellë edhe në Kosovë.
Do të jem në një vend që quhet Prishtinë dhe do të performoj në një festival që quhet Sunny Hill Festival. Jam shumë e emocionuar që do të vij në Kosovë. Është hera ime e parë dhe ju falënderoj për ftesën. Jam shumë e emocionuar të takoj fansat e mi.
Njoftimi ka ngjallur menjëherë entuziazëm te fansat, pasi bëhet fjalë për një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop në nivel global. Me këtë konfirmim, Sunny Hill Festival shton një tjetër emër të madh në listën e artistëve që do të performojnë para mijëra fansave në Prishtinë.



