Këngëtari i njohur me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të Festivalit të Sanremos në Itali, ku u rendit në vendin e tetë me këngën “Stella Stellina”.
Nëpërmjet një postimi falënderues, artisti e cilësoi këtë eksperiencë si më të rëndësishmen në jetën e tij, duke nisur falënderimet ndaj drejtorit artistik Carlo Conti, i cili besoi në këngën e tij.
“Ky festival ka qenë më i rëndësishmi i jetës sime, për shumë arsye”, shkruan Meta, duke falënderuar më pas të gjithë njerëzit që, sipas tij, e kanë rrethuar me dashuri dhe mbështetje gjatë javës së Sanremos.
Në mesazhin e tij ai iu drejtua edhe publikut që ndjek muzikën e tij prej vitesh: “Të gjithë ju që dëgjoni dhe e doni muzikën time… ju detyrohem gjithçka”.
Një pjesë e veçantë e postimit iu kushtua familjes. Meta falënderoi partneren Chiara, të cilën e përshkroi si “grua dhe nënë të jashtëzakonshme”, si edhe vajzat e tij, që – sipas artistit – kanë qenë pranë tij në çdo moment të këtij rrugëtimi.
Postimi përfundon me një dedikim domethënës për “fëmijët pa zë”, në linjë me mesazhin human të këngës “Stella Stellina”, me të cilën artisti konkurroi këtë vit në skenën e Ariston. Kënga u dedikohet fëmijëve palestinezë në Rripin e Gazës.
Ermal Meta emigroi në Itali në moshën 13vjeçare së bashku me nënën dhe motrën e tij dhe tashmë punon dhe jeton atje prej më shumë se 3 dekadash.
Postimi i plotë i Ermal Metës:
“Ky festival ka qenë më i rëndësishmi i jetës sime, për shumë arsye. Falënderimi im i parë shkon për Carlo Contin, që besoi në këtë këngë.
Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë rrethuar me kujdes dhe dashuri. Ju e dini kush jeni dhe jeni të çmuar. Të gjithë atyre që dëgjojnë dhe e duan muzikën time, duke ecur bashkë me mua, juve ju detyrohem gjithçka. Familjes sime, që më ka mbështetur gjithmonë. Chiarës, që nuk fle kurrë, por gjen gjithmonë forcën për të qenë pranë meje, grua dhe nënë e jashtëzakonshme dhe plot dritë. Klodit dhe Lumes, vajzave të mia tashmë të rritura. Fortunës, rrahjes sime shtesë të zemrës.
Fëmijëve pa zë.
Ju ishit të gjithë me mua, çdo mbrëmje, në çdo emër, në çdo notë”.
