Ylli i muzikës dhe aktrimit, Selena Gomez, festoi më 22 korrik ditëlindjen e saj të 33-të dhe si gjithmonë, nuk kaloi pa lënë gjurmë.
Përveç urimeve të shumta nga fansat dhe miqtë e saj të famshëm, ajo ndau një mesazh të thellë dhe emocional, duke e kthyer këtë moment personal në një thirrje publike për ndërgjegjësim rreth shëndetit mendor, një kauzë që ajo e ka përqafuar prej vitesh.
Në një postim të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram”, Selena kujtoi se pikërisht në ditëlindjen e saj pesë vite më parë, kishte themeluar Fondin e Ndikimit të Rare (Rare Impact Fund), si pjesë e nismës së saj përmes markës së bukurisë Rare Beauty. Qëllimi i fondit? Të përmirësojë qasjen ndaj shërbimeve të shëndetit mendor për të rinjtë në të gjithë botën.

“Pesë vjet më parë, në ditëlindjen time, ne lançuam Fondin e Ndikimit të Rare me një qëllim të thjeshtë: të ndihmojmë të rinjtë në mbarë botën të ndihen të parë dhe të mbështetur. Shëndeti mendor ka qenë gjithmonë personalisht i rëndësishëm për mua dhe doja të krijoja diçka që do të bënte një ndryshim të qëndrueshëm”, shkroi Gomez.
Selena bëri me dije se, deri më tani, fondi ka ndihmuar më shumë se 2 milionë të rinj dhe ka mbështetur 30 organizata jofitimprurëse në mbarë globin, duke kontribuar drejtpërdrejt në edukimin, ndihmën psikologjike dhe ndërgjegjësimin për shëndetin mendor tek të rinjtë.
“Dhe ky është vetëm fillimi. Faleminderit që jeni aty, për njëri-tjetrin dhe për brezin e ardhshëm. Kjo është ajo që do të thotë të kesh një ndikim të rrallë”, shtoi ajo.
Një tortë që nuk e priste askush: Turshi në vend të qirinjve
Por, nëse mesazhi i saj e emocionoi publikun, një detaj tjetër i çuditshëm dhe humoristik mori gjithashtu vëmendje të madhe në rrjetet sociale, torta e saj e ditëlindjes. Në vend të një torte tradicionale me qirinj e krem të bollshëm, Selena zgjodhi një tortë në formë zemre me ngjyrë jeshile, dekoruar jo me fruta apo ëmbëlsira… por me turshi!
Fotoja që ajo ndau në “Instagram” tregonte qartë një tortë minimaliste, e cila në vend të qirinjve kishte turshi të vogla të vendosura me kujdes mbi sipërfaqe, një zgjedhje që habiti dhe njëkohësisht argëtoi miliona ndjekës.
Fansat nuk vonuan me komentet e tyre, duke shkruanin: “Kjo është gjëja më Selena që kam parë ndonjëherë!”, “Vetëm ajo mund ta bëjë turshin të duket ‘cool’ në një ditëlindje”, “Kjo tortë është një deklaratë: origjinale, e thjeshtë dhe ndryshe, si vetë Selena”.
Megjithëse nuk dha një shpjegim të drejtpërdrejtë për këtë zgjedhje, fansat besojnë se turshia është një nga ushqimet e saj të preferuara dhe pjesë e shakasë së saj të hershme me ndjekësit për dashurinë e veçantë që ka ndaj ushqimeve të kripura dhe të tharta.