Aktori legjendar amerikan Dick Van Dyke ka festuar dje, më 13 dhjetor, një shekull jetë dhe dëshmon se mosha për të është thjesht një numër. I lindur në vitin 1925 në West Plains, Missouri, Van Dyke ka jetuar periudha historike të rëndësishme, nga luftërat botërore te përparimet e mëdha teknologjike, duke ndërtuar paralelisht një karrierë të jashtëzakonshme në Hollywood. Ai u bë një nga emrat më të dashur të industrisë kinematografike falë roleve ikonike në filma dhe seriale si “Mary Poppins”, “Chitty Chitty Bang Bang” dhe “The Dick Van Dyke Show”.

Edhe pse ka mbushur 100 vjeç, aktori shprehet se kjo moshë “nuk është e mjaftueshme”. Në një intervistë për Good Morning America, ai tha se dëshiron të jetojë edhe më gjatë dhe se këtë e ka plan konkret. Duke reflektuar mbi karrierën e tij, Van Dyke pranoi se shpesh ka portretizuar personazhe të moshuar të zemëruar, por realiteti, sipas tij, është krejt ndryshe. Edhe pse ka disa vështirësi fizike, ai vazhdon të kërcejë dhe të qëndrojë aktiv.

Pak para ditëlindjes së tij historike, Van Dyke publikoi librin “100 Rules for Living to 100”, ku ndan sekretet e jetës së gjatë dhe të shëndetshme. Një rol të rëndësishëm në energjinë dhe optimizmin e tij, ai ia atribuon bashkëshortes, Arlene Silver, 54 vjeçe. Aktori ka treguar se ajo e bën të ndihet shumë më i ri dhe e motivon çdo ditë të jetë aktiv, pozitiv dhe i dobishëm.

Edhe Silver ka folur për marrëdhënien e tyre, duke e quajtur një privilegj dhe një nder të kujdeset për të dhe ta bëjë të lumtur.

Një tjetër sekret i jetëgjatësisë së Van Dyke, sipas tij, është këndimi. Në një intervistë për Today, ai tha se këndimi është një nga gjërat më të mira për shëndetin, duke zbuluar se ende performon me grupin e tij a cappella, “The Vantastix”. Karriera e tij e jashtëzakonshme është vlerësuar me shumë çmime dhe nderime, përfshirë një yll në Hollywood Walk of Fame në vitin 1993 dhe anëtarësimin në Television Hall of Fame në vitin 1995.